Fuoristrada e vjedhur digjet në tunel, policia nis hetimet

Nga: K.B
Fuoristrada e vjedhur digjet në tunel, policia nis hetimet

Një automjet fuoristradë, i raportuar i vjedhur disa kohë më parë, është gjetur i përfshirë nga flakët brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës, në Vlorë.

Ngjarja është konstatuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me fshatrat përreth. Pas njoftimit për zjarr, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, së bashku me forcat e Policisë dhe grupin hetimor.

Gjatë verifikimeve të kryera në automjet, përfshirë kontrollin e numrit të shasisë, rezultoi se fuoristrada ishte denoncuar më herët si e vjedhur në fshatin Panaja.

Për hetuesit, mënyra se si automjeti ka përfunduar brenda tunelit dhe më pas është djegur ngre dyshime që po verifikohen. Policia po heton edhe mundësinë që makina të jetë përdorur për aktivitete të paligjshme përpara se të braktisej në këtë zonë.

Grupi hetimor ka nisur mbledhjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që kanë transportuar dhe lënë automjetin në tunel. Gjithashtu, po punohet për të përcaktuar itinerarin e makinës dhe kohën kur ajo është sjellë në këtë zonë.

Tuneli ndodhet në një pjesë të izoluar dhe aksesi bëhet përmes një rruge të paasfaltuar, çka mund të ketë ndihmuar që automjeti të mos konstatohej më herët.

Ndërkohë, zjarri i rënë në automjet ka përfshirë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar se kush e ka çuar automjetin në tunel.