KATEGORIA
Politike
Lajmet e fundit nga politika
Protesta kundër qeverisë vijoi edhe këtë të diel në Tiranë, duke shënuar ditën e 106-të të saj. Gjatë marshimit, protestuesit u përballën me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Balluku, e shoqëruar nga një vajzë, tërhoqi vëmendjen e protestuesve, të cilët nisën t’i drejtonin thirrje dhe akuza në rrugë. “O hajdute!”, “Rama në burg, Belinda në burg!” dhe “O hajdute, te cila vilë do të shkosh?” ishin disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë përballjes. Përplasja verbale vjen në një moment kur emri i Ballukut është pjesë e një hetimi nga SPAK. Në kuadër të hetimeve, sipas raportimeve publike, organi i akuzës ka mbledhur të dhëna edhe lidhur me një vilë luksoze në Palasë, për të cilën po verifikohet nëse Balluku ka lidhje si pronare faktike, ndërsa në dokumentacion pasuria rezulton e regjistruar në emër të personave të tjerë. Përballja mes ish-zëvendëskryeministres dhe protestuesve u zhvillua mes thirrjeve të forta dhe tensionit verbal, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të pranishëm në zonë.
Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e mënyrës së qëndrimit të tij gjatë seancave gjyqësore. Vendimi, i marrë nga trupi gjykues me gjyqtare Saida Dollani, i jep mundësinë Metës që të mos qëndrojë më në kafazin e qelqtë gjatë zhvillimit të procesit. Në vijim, ish-presidenti do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit dhe do të qëndrojë përkrah avokatit të tij gjatë seancave. Ndërkohë, për këtë të hënë është parashikuar edhe shqyrtimi i një tjetër kërkese të Ilir Metës. Seanca pritet të zhvillohet në orën 15:30 dhe lidhet me masën e sigurisë ndaj ish-presidentit. Vendimi i Apelit për mënyrën e qëndrimit në sallën e gjyqit vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Metës vijon të jetë në fokus të opinionit publik.

