KATEGORIA
Kulture
Lajmet e fundit nga kultura.
Nga rrëzimi i diktaturës te ndërtimi i shtetit: çfarë bëmë gabim dhe çfarë duhet të ndryshojmë për të kaluar më në fund nga tranzicioni te normaliteti? Administrata nuk është plaçkë e fitores. Dhe qytetari nuk është klient. Tranzicioni duhet të ketë një fundPas tridhjetë e pesë vjetësh, ndoshta duhet ta pranojmë se nuk mund të përdorim pafundësisht fjalën “tranzicion” për të shpjeguar gjithçka që nuk kemi arritur të zgjidhim. Mendoj se tranzicioni nuk duhet trajtuar vetëm si një problem politik, por si një problem i thellë i transformimit të shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.Kanë kaluar rreth tridhjetë e pesë vjet nga dita kur Shqipëria nisi të shkëputej nga sistemi komunist. Një brez i tërë ka lindur, është rritur dhe po ndërton jetën e tij në një Shqipëri që ende e quan veten “në tranzicion”. Por sa mund të zgjasë një tranzicion? Dhe, më e rëndësishmja: a është zgjatur tranzicioni sepse transformimi nga diktatura në demokraci ishte objektivisht kaq i vështirë, apo sepse gjatë rrugës kemi bërë gabime që e kanë mbajtur gjallë atë?Kjo nuk është një pyetje akademike. Është një pyetje për shtetin që kemi ndërtuar, për ekonominë që kemi krijuar, për pronën, drejtësinë, administratën, politikën dhe për të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Perfundimi I tranzicionit do te thotë kur kemi arritur një shtet ku ligji zbatohet; ku prona është e sigurt; ku administrata është profesionale; ku zgjedhjet nuk përcaktojnë vetëm kush merr pushtetin, por edhe përgjegjësinë e atij pushteti; ku ekonomia prodhon dhe shpërblen punën; ku pasuritë kombëtare administrohen në interes të publikut; dhe ku një i ri shqiptar nuk është i detyruar të largohet për të gjetur atë që duhet të mund ta ndërtojë në vendin e vet. Nuk mjaftonte të rrëzonim të vjetrënNë fillim të viteve ’90, Shqipëria kishte nevojë për një shkëputje të thellë nga diktatura. Demokracia, pluralizmi politik dhe ekonomia e tregut nuk ishin zgjedhje luksi; ishin domosdoshmëri historike. Por ndryshimi i një sistemi nuk nënkupton domosdoshmërisht shkatërrimin e gjithçkaje që ai sistem kishte krijuar. Në një farë mënyre, ne u nisëm me një filozofi që më kujtonte vargjet e Internacionales: “Mbi gërmadhat e botës së vjetër do të ndërtojmë botën e re.” Dhe kjo ishte një prej paradokseve të tranzicionit shqiptar. Ne nuk kishim nevojë vetëm të rrëzonim diktaturën; duhej të ndërtonim një shtet të ri. Duhej të transformonim ekonominë, jo thjesht ta shpërbënim atë. Duhej të krijonim institucione të reja, jo vetëm të zëvendësonim njerëzit. Duhej të ndërtonim një kulturë të re politike, jo vetëm parti të reja. Në shumë raste, shkatërrimi i së vjetrës erdhi më shpejt se ndërtimi i së resë.Nga ekonomia e centralizuar në pasigurinë e tregut. Ekonomia e centralizuar kishte dështuar. Kjo ishte e qartë. Por kalimi nga një ekonomi ku shteti ishte pothuajse i vetmi punëdhënës në një ekonomi tregu ishte një tronditje e jashtëzakonshme sociale. Ndërmarrje u mbyllën, struktura prodhuese u shpërbënë dhe qindra mijëra njerëz mbetën pa punë. Në mendje kishim një “çek të bardhë” të ekonomisë së tregut, por jo gjithmonë e kishim atë çek në duar. Nuk kishim kapitalin, institucionet, përvojën menaxheriale dhe kulturën e tregut që kërkonte sistemi i ri. Kështu, për shumë shqiptarë, kalimi nga diktatura në liri ekonomike nuk u përjetua menjëherë si mundësi. U përjetua si pasiguri. Dhe kjo pasiguri do të ushqente një prej dukurive më të mëdha të Shqipërisë së tranzicionit: emigracionin masiv.Ndryshoi sistemi, por jo gjithmonë njeriu që e drejtonteNjë nga problemet më të mëdha të tranzicionit ishte se ndryshimi politik nuk u shoqërua gjithmonë me një ndryshim po aq të thellë të kulturës së pushtetit. Në krye të partive, institucioneve dhe administratës vazhduan të gjenin hapësirë njerëz të formuar në sistemin e vjetër. Nuk është fjala për të thënë se çdo njeri që kishte jetuar apo punuar në atë sistem duhej përjashtuar. Kjo do të ishte po aq absurde sa të pretendonim se mund të ndërtonim një shtet pa njerëzit që e njihnin vendin dhe shoqërinë e tij. Problemi ishte tjetërkund: a ndryshoi mentaliteti i ushtrimit të pushtetit?Demokracia nuk është vetëm pluralizëm, zgjedhje dhe Kushtetutë. Demokracia është edhe pranimi i kufizimit të pushtetit. Është respektimi i institucioneve. Është pranimi i humbjes. Është kuptimi se shteti nuk është pronë e partisë që fiton zgjedhjet. Nëse ndryshon sistemi formal, por vazhdon kultura e kontrollit, patronazhit dhe besnikërisë politike, atëherë kemi një demokraci që mund të jetë e rregullt në letër, por e papjekur në praktikë.Mediokriteti – një problem më i madh se paaftësia individualeNjë tjetër arsye për zgjatjen e tranzicionit është, sipas meje, dobësia e meritokracisë. Në një shtet normal, administrata duhet të jetë profesion. Një nëpunës duhet të ngjitet në detyrë për shkak të aftësisë, eksperiencës dhe rezultateve. Në Shqipëri, për shumë vite, karriera në shtet ka qenë e lidhur në një masë të madhe me përkatësinë ose afërsinë politike. Ndërron qeveria, ndryshojnë njerëzit. Ndërron drejtori, ndryshon administrata. Ndërron pushteti, shumë institucione duhet të “fillojnë nga e para”. Kështu nuk ndërtohet shtet.Mediokriteti bëhet veçanërisht i rrezikshëm kur kthehet në sistem.Sepse atëherë nuk kemi thjesht njerëz të paaftë; kemi një mekanizëm që prodhon dhe promovon paaftësinë.Prona: një plagë që ende nuk është mbyllurNdoshta asnjë çështje nuk e tregon më qartë vështirësinë e tranzicionit sesa prona. Pas vitit 1990 duhej të gjendej një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për pronën e konfiskuar dhe të shtetëzuar nga regjimi komunist. Por problemi mbeti për dekada. Prona nuk iu rikthye gjithmonë atij që e kishte humbur. Kompensimi nuk ishte gjithmonë zgjidhje. Legalizimet, privatizimet dhe zhvillimet e mëvonshme krijuan edhe një kategori të re pronarësh. Kjo prodhoi konflikte, procese gjyqësore, pasiguri dhe mosbesim. Por prona nuk është vetëm një çështje e së kaluarës.Pa siguri pronësie nuk ka ekonomi tregu të shëndetshme.Një investitor duhet të dijë se ajo që blen ose ndërton do të mbrohet nga ligji. Një qytetar duhet të dijë se prona e tij nuk varet nga lidhja që ka me pushtetin.Pasuritë e Shqipërisë dhe pyetja: sa mbetet për shqiptarët?Shqipëria ka pasuri mbi dhe nëntokësore, tokë, ujë, bregdet, energji, burime natyrore dhe një pozicion gjeografik që i jep mundësi të rëndësishme zhvillimi. Por pasuria natyrore nuk është automatikisht zhvillim. Ajo bëhet zhvillim vetëm kur menaxhohet me transparencë, konkurrencë, përgjegjshmëri dhe në interes të shoqërisë. Nuk do të ishte e drejtë të thoshim se çdo pronësi e huaj është e keqe. Përkundrazi, kapitali i huaj mund të sjellë teknologji, kapital, tregje dhe vende pune. Pyetja e vërtetë është: Sa vlerë krijohet në Shqipëri dhe sa prej saj kthehet në mirëqenie për shqiptarët dhe në të ardhura për shtetin?Një ekonomi që prodhon pak dhe mbështetet shumë në konsum, ndërtim, remitanca apo shfrytëzim të pasurive nuk mund të jetë baza e një zhvillimi të qëndrueshëm. Na duhet një ekonomi që prodhon, eksporton, inovon dhe krijon vende pune me vlerë të shtuar. Emigracioni: simptoma e një problemi më të thellë. Më shumë se çdo statistikë, emigracioni tregon se diçka nuk ka funksionuar siç duhet. Shqiptarët janë larguar dhe vazhdojnë të largohen jo vetëm për paga më të larta. Largohen për siguri. Për institucione. Për drejtësi. Për arsim më të mirë. Për një jetë më të parashikueshme. Emigracioni ka sjellë edhe shumë të mira. Diaspora shqiptare është një kapital i jashtëzakonshëm ekonomik, profesional dhe njerëzor. Por një vend duhet të shqetësohet kur një pjesë e madhe e brezit të ri beson se e ardhmja e tij është më e sigurt jashtë vendit sesa brenda tij. Prandaj një nga kriteret më të rëndësishme për të matur përfundimin e tranzicionit duhet të jetë kjo:A do të zgjedhë një i ri shqiptar të qëndrojë sepse e dëshiron jetën në Shqipëri, dhe jo sepse nuk ka mundësi të largohet? Si mund të përfundojë tranzicioni?Mund të themi se koha do t’i korrigjojë gradualisht gabimet. Por koha nuk mjafton.Koha nuk ndërton institucione. Njerëzit dhe vendimet i ndërtojnë ato.Nëse duam që tranzicioni të përfundojë më shpejt, duhet të bëjmë disa kthesa të qarta. Duhet një shtet ligjor ku ligji të jetë më i fortë se pushteti. Duhet një administratë profesionale, ku vendi i punës të mos jetë shpërblim për besnikërinë politike. Duhet një zgjidhje përfundimtare dhe e drejtë e çështjes së pronës. Duhet një ekonomi prodhuese dhe konkurruese, jo një ekonomi që mbështetet kryesisht te pasuritë që shiten, ndërtohen ose shfrytëzohen. Duhet transparencë në administrimin e pasurive publike dhe natyrore. Dhe mbi të gjitha, duhet një kulturë tjetër politike. Pushteti nuk është pronë. Mandati elektoral nuk është çek i bardhë. Shteti nuk është parti. Administrata nuk është plaçkë e fitores. Dhe qytetari nuk është klient. Tranzicioni duhet të ketë një fundPas tridhjetë e pesë vjetësh, ndoshta duhet ta pranojmë se nuk mund të përdorim pafundësisht fjalën “tranzicion” për të shpjeguar gjithçka që nuk kemi arritur të zgjidhim. Tranzicioni ishte i domosdoshëm. Por tranzicioni nuk mund të bëhet një gjendje e përhershme. Një shoqëri nuk mund të jetojë përgjithmonë duke thënë se “po ndërton institucionet”, “po reformon drejtësinë”, “po zgjidh pronën”, “po lufton korrupsionin” dhe “po përgatitet për të ardhmen”. Vjen një moment kur duhet të thuash: mjaft me tranzicionin; tani duhet të ndërtojmë normalitetin. Normaliteti nuk do të thotë një Shqipëri pa probleme. Do të thotë një Shqipëri ku ligji zbatohet, prona mbrohet, puna shpërblehet, kompetenca vlerësohet, pushteti kufizohet dhe pasuritë publike administrohen në interes të qytetarëve. Një Shqipëri ku i riu nuk ka nevojë të largohet për të gjetur atë që duhet të mund ta ndërtojë në vendin e tij. Në fund të fundit, pyetja nuk është më sa do të zgjasë tranzicioni. Pyetja është:A kemi vullnetin politik dhe shoqëror për ta përfunduar atë?Sepse tranzicioni nuk përfundon thjesht duke kaluar vitet.Përfundon kur ndryshon mënyra se si funksionon shteti.Dhe ndoshta kjo është sfida e vërtetë e Shqipërisë së sotme: jo të vazhdojë tranzicionin, por më në fund të dalë prej tij.