KATEGORIA
Aktualitet
Lajmet e fundit
Pas rreth gjashtë vitesh nga arrestimi dhe pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë, Rexhep Selimi është shpallur fajtor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe është dënuar me 13 vite burgim. Vendimi është shpallur më 16 shtator 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith III. Gjatë gjithë procesit, Selimi ka mbajtur qëndrimin se lufta e tij kishte për qëllim çlirimin e Kosovës, ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria. Rexhep Selimi u arrestua në nëntor të vitit 2020 dhe po atë muaj u transferua në paraburgim në Hagë. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në prill të vitit 2023. Aktakuza lidhej me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë periudhës së konfliktit të viteve 1998–1999. Prokuroria kishte paraqitur akuza që përfshinin përndjekjen, burgosjen ose ndalimin, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave. Në kuadër të akuzave për krime kundër njerëzimit përfshiheshin gjashtë pika, ndërsa për krime lufte katër pika, mes tyre arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtimi mizor, tortura dhe vrasja e paligjshme. Megjithatë, në vendimin e shpallur sot, gjykata konstatoi se nuk ka pasur krime lufte pas 20 qershorit 1999, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër të akuzuarve nuk u provuan sipas standardit të kërkuar nga gjykata. Procesi ka zgjatur për disa vite. Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa pas përfundimit të fazës së provave më 18 dhjetor 2025, palët paraqitën parashtresat përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u zhvilluan gjatë periudhës 9–18 shkurt 2026, përpara se trupi gjykues të shpallte aktgjykimin më 16 shtator. Selimi është një prej katër ish-krerëve të UÇK-së që u gjykuan në Hagë në të njëjtin proces.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas shpalljes fajtor për disa krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Trupi gjykues e ka gjetur Thaçin penalisht përgjegjës për veprat penale që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e personave gjatë konfliktit. Sipas vendimit të gjykatës, Thaçi është shpallur përgjegjës për ndalimin e paligjshëm të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. Në të njëjtin proces, gjykata shpalli vendimin edhe për tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Vendimi ndaj Thaçit është dhënë pas një procesi gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023 dhe që u zhvillua në Hagë për krime të pretenduara gjatë luftës së viteve 1998-1999. Dhomat e Specializuara bëjnë të ditur se për disa nga akuzat për krime kundër njerëzimit, të pandehurit nuk u shpallën fajtorë, pasi prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Thaçi, i cili i ka mohuar akuzat gjatë procesit, pritet të vijojë procedurat ligjore pas shpalljes së vendimit.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur fajtor ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, për disa prej akuzave që lidhen me krime lufte, ndërsa për akuzat për krime kundër njerëzimit ai është shpallur i pafajshëm. Në përfundim të procesit gjyqësor, trupi gjykues vendosi ta dënojë Krasniqin me 25 vite burgim. Sipas vendimit të lexuar në Hagë, Krasniqi u gjet përgjegjës për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm të 385 personave, si dhe për trajtim mizor ndaj 49 personave. Gjykata e shpalli gjithashtu fajtor për torturë si krim lufte ndaj 49 personave, ndërsa për vrasje të paligjshme u gjet përgjegjës në lidhje me 96 persona. Vendimi ndaj Krasniqit është pjesë e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së, proces që ka vijuar prej vitesh në Hagë dhe lidhet me ngjarjet e periudhës së luftës në Kosovë. Për akuzat për krime kundër njerëzimit, trupi gjykues arriti në përfundimin se nuk plotësoheshin kushtet për shpalljen e tij fajtor.
Protesta kundër qeverisë Rama është përshkallëzuar këtë të hënë, 14 shtator, në Tiranë, teksa protestuesit kanë nisur marshimin në formë revolte në rrugët e kryeqytetit. Marshimi ka nisur rreth orës 08:30 nga sheshi “Skënderbej”, ku protestuesit janë bërë bashkë me përfaqësues të diasporës, duke vijuar më pas lëvizjen në drejtim të disa prej akseve kryesore të Tiranës. Gjatë marshimit janë krijuar përplasje me forcat e policisë. Sipas protestuesve, efektivët u kanë kërkuar që të mos bllokojnë rrugën dhe t’u drejtohen trotuareve. Nga ana tjetër, prania e një numri të madh forcash policie ka sjellë bllokime të qarkullimit në disa momente. Tensionet janë shtuar pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, ku situata mes protestuesve dhe policisë është përshkallëzuar. Sipas protestuesve, gjatë qëndrimit në këtë zonë, efektivët kanë përdorur forcë ndaj disa prej tyre, ndërsa disa protestues janë shoqëruar nga policia. Shoqërimet dhe përplasjet kanë sjellë tensione në rrugë, ndërsa protesta vijon me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik. Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se protesta e nisur këtë të hënë do të vijojë dhe do të përshkallëzohet gjatë ditës.
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ka marrë vëmendje të gjerë nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë pasqyruar zhvillimet dhe reagimet në Kosovë pas shpalljes së aktgjykimit. Agjencitë e mëdha të lajmeve, mes tyre Reuters dhe Associated Press, i kanë kushtuar raportime të veçanta vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Reuters raportoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vite burg për krime lufte. Sipas agjencisë, vendimi ka shkaktuar reagime dhe protesta nga mbështetësit e tij në Prishtinë dhe në Hagë. Edhe Associated Press e ka vendosur në qendër të raportimit vendimin ndaj Thaçit, duke theksuar se ai u shpall fajtor për katër kategori krimesh lufte, ndërsa procesi u zhvillua në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Vëmendja e mediave ndërkombëtare është përqendruar edhe te atmosfera në Kosovë. Përpara shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me konfliktin e viteve 1998-1999. Ata i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor. Procesi në Hagë ka tërhequr prej vitesh vëmendje të madhe në Kosovë, ku Thaçi dhe ish-komandantë të tjerë të UÇK-së vazhdojnë të konsiderohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë si figura të rëndësishme të luftës dhe të historisë së shtetformimit të Kosovës. Reuters ka raportuar gjithashtu se trashëgimia e luftës vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Vendimi i shpallur këtë të mërkurë në Hagë është shoqëruar me reagime të forta, ndërsa zhvillimet rreth procesit gjyqësor po ndiqen nga afër edhe nga mediat kryesore evropiane dhe amerikane.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur vendimin ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, duke e dënuar atë me 18 vite burgim. Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues ka dhënë edhe vlerësimin e tij mbi rolin dhe funksionin që Veseli kishte gjatë periudhës që lidhet me çështjen gjyqësore. Sipas konstatimeve të gjykatës, Veseli ka përdorur pozitën dhe ndikimin që kishte në atë kohë në mënyrë të kundërligjshme. Në aktgjykim thuhet se autoriteti i tij është shfrytëzuar për qëllime që gjykata i ka cilësuar kriminale. Vendimi ndaj Veselit është pjesë e procesit gjyqësor të zhvilluar në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, për ngjarje që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.
Një automjet fuoristradë, i raportuar i vjedhur disa kohë më parë, është gjetur i përfshirë nga flakët brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës, në Vlorë. Ngjarja është konstatuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me fshatrat përreth. Pas njoftimit për zjarr, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, së bashku me forcat e Policisë dhe grupin hetimor. Gjatë verifikimeve të kryera në automjet, përfshirë kontrollin e numrit të shasisë, rezultoi se fuoristrada ishte denoncuar më herët si e vjedhur në fshatin Panaja. Për hetuesit, mënyra se si automjeti ka përfunduar brenda tunelit dhe më pas është djegur ngre dyshime që po verifikohen. Policia po heton edhe mundësinë që makina të jetë përdorur për aktivitete të paligjshme përpara se të braktisej në këtë zonë. Grupi hetimor ka nisur mbledhjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që kanë transportuar dhe lënë automjetin në tunel. Gjithashtu, po punohet për të përcaktuar itinerarin e makinës dhe kohën kur ajo është sjellë në këtë zonë. Tuneli ndodhet në një pjesë të izoluar dhe aksesi bëhet përmes një rruge të paasfaltuar, çka mund të ketë ndihmuar që automjeti të mos konstatohej më herët. Ndërkohë, zjarri i rënë në automjet ka përfshirë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar se kush e ka çuar automjetin në tunel.
Pas shpalljes së aktgjykimeve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, në Prishtinë kanë nisur reagimet e para të qytetarëve. Qytetarë dhe mbështetës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur në bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke zhvilluar një marshim në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të gjykatës në Hagë. Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë brohoritur në mbështetje të UÇK-së dhe të ish-krerëve të saj, ndërsa në qendër të Prishtinës është krijuar një atmosferë e tensionuar pas shpalljes së dënimeve. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë dënuar në total me 81 vite burgim. Reagimet e qytetarëve kanë vijuar në rrugët kryesore të Prishtinës, ndërsa marshimi është shoqëruar me thirrje në mbështetje të UÇK-së dhe kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara.






