Hagë, Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burg për krime lufte

Nga: K.B
Hagë, Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burg për krime lufte

Pas rreth gjashtë vitesh nga arrestimi dhe pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë, Rexhep Selimi është shpallur fajtor nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe është dënuar me 13 vite burgim.

Vendimi është shpallur më 16 shtator 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith III. Gjatë gjithë procesit, Selimi ka mbajtur qëndrimin se lufta e tij kishte për qëllim çlirimin e Kosovës, ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria.

Rexhep Selimi u arrestua në nëntor të vitit 2020 dhe po atë muaj u transferua në paraburgim në Hagë. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në prill të vitit 2023.

Aktakuza lidhej me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë periudhës së konfliktit të viteve 1998–1999. Prokuroria kishte paraqitur akuza që përfshinin përndjekjen, burgosjen ose ndalimin, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave.

Në kuadër të akuzave për krime kundër njerëzimit përfshiheshin gjashtë pika, ndërsa për krime lufte katër pika, mes tyre arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtimi mizor, tortura dhe vrasja e paligjshme.

Megjithatë, në vendimin e shpallur sot, gjykata konstatoi se nuk ka pasur krime lufte pas 20 qershorit 1999, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër të akuzuarve nuk u provuan sipas standardit të kërkuar nga gjykata.

Procesi ka zgjatur për disa vite. Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa pas përfundimit të fazës së provave më 18 dhjetor 2025, palët paraqitën parashtresat përfundimtare.

Deklaratat përmbyllëse u zhvilluan gjatë periudhës 9–18 shkurt 2026, përpara se trupi gjykues të shpallte aktgjykimin më 16 shtator.

Selimi është një prej katër ish-krerëve të UÇK-së që u gjykuan në Hagë në të njëjtin proces.