Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg në Hagë

Nga: K.B
Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pas shpalljes fajtor për disa krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Trupi gjykues e ka gjetur Thaçin penalisht përgjegjës për veprat penale që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e personave gjatë konfliktit.

Sipas vendimit të gjykatës, Thaçi është shpallur përgjegjës për ndalimin e paligjshëm të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.

Në të njëjtin proces, gjykata shpalli vendimin edhe për tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Vendimi ndaj Thaçit është dhënë pas një procesi gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023 dhe që u zhvillua në Hagë për krime të pretenduara gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Dhomat e Specializuara bëjnë të ditur se për disa nga akuzat për krime kundër njerëzimit, të pandehurit nuk u shpallën fajtorë, pasi prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.

Thaçi, i cili i ka mohuar akuzat gjatë procesit, pritet të vijojë procedurat ligjore pas shpalljes së vendimit.