Vendimi për “katërshen” e UÇK-së, jehonë në mediat ndërkombëtare

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ka marrë vëmendje të gjerë nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë pasqyruar zhvillimet dhe reagimet në Kosovë pas shpalljes së aktgjykimit.
Agjencitë e mëdha të lajmeve, mes tyre Reuters dhe Associated Press, i kanë kushtuar raportime të veçanta vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Reuters raportoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vite burg për krime lufte. Sipas agjencisë, vendimi ka shkaktuar reagime dhe protesta nga mbështetësit e tij në Prishtinë dhe në Hagë.
Edhe Associated Press e ka vendosur në qendër të raportimit vendimin ndaj Thaçit, duke theksuar se ai u shpall fajtor për katër kategori krimesh lufte, ndërsa procesi u zhvillua në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Vëmendja e mediave ndërkombëtare është përqendruar edhe te atmosfera në Kosovë. Përpara shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me konfliktin e viteve 1998-1999. Ata i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor.
Procesi në Hagë ka tërhequr prej vitesh vëmendje të madhe në Kosovë, ku Thaçi dhe ish-komandantë të tjerë të UÇK-së vazhdojnë të konsiderohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë si figura të rëndësishme të luftës dhe të historisë së shtetformimit të Kosovës. Reuters ka raportuar gjithashtu se trashëgimia e luftës vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Vendimi i shpallur këtë të mërkurë në Hagë është shoqëruar me reagime të forta, ndërsa zhvillimet rreth procesit gjyqësor po ndiqen nga afër edhe nga mediat kryesore evropiane dhe amerikane.