Protesta e 14 shtatorit në Tiranë, përshkallëzohet protesta kundër qeverisë Rama – tensione dhe shoqërime
Protesta kundër qeverisë Rama është përshkallëzuar këtë të hënë, 14 shtator, në Tiranë, teksa protestuesit kanë nisur marshimin në formë revolte në rrugët e kryeqytetit.
Marshimi ka nisur rreth orës 08:30 nga sheshi “Skënderbej”, ku protestuesit janë bërë bashkë me përfaqësues të diasporës, duke vijuar më pas lëvizjen në drejtim të disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Gjatë marshimit janë krijuar përplasje me forcat e policisë. Sipas protestuesve, efektivët u kanë kërkuar që të mos bllokojnë rrugën dhe t’u drejtohen trotuareve. Nga ana tjetër, prania e një numri të madh forcash policie ka sjellë bllokime të qarkullimit në disa momente.
Tensionet janë shtuar pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, ku situata mes protestuesve dhe policisë është përshkallëzuar.
Sipas protestuesve, gjatë qëndrimit në këtë zonë, efektivët kanë përdorur forcë ndaj disa prej tyre, ndërsa disa protestues janë shoqëruar nga policia.
Shoqërimet dhe përplasjet kanë sjellë tensione në rrugë, ndërsa protesta vijon me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.
Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se protesta e nisur këtë të hënë do të vijojë dhe do të përshkallëzohet gjatë ditës.